Advokim për politika lehtësuese për aftësitë e reja në sektorin e biznesit

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga IQSH

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Ideja që propozuam në nismën tonë mori nxitje nga aktualiteti ekonomik, i imponuar nga situata e krijuar prej COVID-19. Pandemia ndryshoi mënyrën e të bërurit biznes dhe nevojat e këtij të fundit, si dhe dinamikat në tregun e punës. Ajo kushtëzoi që shumë profesione të mbylleshin dhe të tjera të hapeshin, të cilat me shumë gjasa mund të jenë edhe drejtime punësimi të së ardhmes. 

Shumë industri në Shqipëri, si ajo ushqimore, farmaceutike etj. u detyruan të përshtaten në kohë rekord për të realizuar shitjet online, çka imponoi rritje të kostove për të ngritur sistemin dhe trajnuar stafin. Me problemin e trajnimit të stafit, vecanërisht për teknologjitë e informacionit, marketingun digital, etj. u përballën edhe bizneset në sektorë të tjerë. Kjo u shoqërua me rritje të kostove për sipërmarjen, që qeveria nuk i njiohu si shpenzime të zbritshme. E thënë ndryshe, vazhdoi t’i taksonte, cka e demotivonte një biznes të investonte në këtë drejtim, ose e vendoste në vështirësi të rritura.

Mirëpo në realitetin e ri aktivitetet e cituara më lart nuk ishin thjesht një dëshirë apo strategji zhvillimi, ishin domosdoshmëri për ekzistencë. Ndërkaq, shumë vende të tjera kishin filluar të studionin ndryshimet e tregut të punës, për të kuptuar efektet në mbylljen së disa profeisoneve dhe krijimit të disa të tjerave, si dhe kostot financiare që do ta shoqëronin këtë proces. Në Shqipëri një studim i tillë mungonte dhe pas kontakteve të para me shoqatat e biznesit dhe sipërmarës, ne evidentuam se ky ishte vërtet një shqetësim real dhe për ne. Në këto kushte ne propozuam idenë që shpenzimet që biznesi bën për trajnimin e stafit të njihen si shpenzime të zbritshme dhe mundësisht qeveria të subvencionojë një pjesë të tyre. Ishim të bindur në idenë që propozuam, e cila sjell vlerë për ekonominë, por është edhe një përgjigje për përgatitje për krizat. 

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Ne jemi të kënaqur të konstatojmë që propozimi ynë u mor në konsideratë nga qeveria dhe u përfshi në programin 4-vjeçar të prezantuar prej saj, pasi fitoi mandatin e tretë. Fillimisht studiuam sesi kishte ndryshuar tregu i punës gjatë vitit të parë të pandemisë, duke sjellë një dokument që deri atëherë mungonte dhe që duhej ta kishte bërë qeveria. Po ashtu, kontaktuam dhe arritëm të siguronim mbështetjen e gjerë për idenë tonë nga shoqatat më të mëdha të biznesit, si Pro Export Albania, Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë etj, të cilët janë edhe punëdhënësit kryesorë në Shqipëri. Ne vendosëm kontakte dhe siguruam mbështetjen e ekspertëve më të njohur të ekonomisë në Shqipëri, të cilët ndikojnë në formimin e opinionit publik, por kanë edhe ndikim në hartimin e politikave ekonomike. Gjithashtu, ne bashkëpunuam me universitetet për të marrë mendimin e studentëve dhe akademikëve për këtë çështje. Një punë e koniderueshme u bë me Ministrinë e Financave për ta bindur për rëndësinë e idesë sonë dhe projektit për impaktin në ndihmë të biznesit dhe ekonomisë dhe për ta përfshirë atë në planet afatshkurtra buxhetore. 

Ne organizuam një konferencë me pjesëmarrjen e të gjithë këtyre aktorëve, si dhe me praninë e medias për të diskutuar dhe dëshmuar rëndësinë e një nisme të tillë. Paralelisht, u bë sensibilizimi i opinionit publik mbi propozimin dhe ndikimin që do të kishte për qytetarët, bizneset dhe ekonominë. Për këtë arsye, ideja jonë u artikulua në shumë emisione dhe dalje publike në media të përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve, të cilët artikuluan një nevojë të tillë. Me opinionin publik punuam edhe në rrjetet sociale, duke ideuar dhe realizuar katër klipe me informacione dhe mesazhe të qarta për nismën tonë.   

Jemi krenarë që pas gjithë kësaj pune dhe këtyre përpjekjeve në disa drejtime, ideja jonë u bë pjesë e programit 4 vjecar të qeverisë në këtë mandat të tretë. Në Programin e qeverisë, në pjesën dedikuar biznesit të manifakturës, teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve, qeveria merr përsipër që: “do të krijojmë programet ’Inovacion dhe Ekselencë në manifakturë’ dhe ’Inovacion dhe ekselencë në IT’ për trajnime dhe inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si dyfish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive, ku është i punësuar përfituesi”.    

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Sfidat kanë qenë të shumta dhe rruga drejt realizimit të idesë sonë ka qenë e vështirë. Kjo për disa arsye. E para, ishte realizimi i studimit të tregut me të dhënat e fundit që zotëronin institucionet publike. Kjo kërkoi punë investigative, pasi jo të gjitha të dhënat që na nevojiteshin për studimin ishin të aksesueshme publikisht, ose ishin të vjetra për nevojat e analizës. Sfida e dytë kishte të bënte me bashkimin e të gjithë aktorëve të tregut rreth idesë sonë. Nisma filloi gjatë vitit të parë të pandemisë, një periudhë e vështirë ku dhe biznesi po përballej me probleme mbijetese. Po ashtu, vështirësi të mëdha financiare kishte edhe qeveria, pasi ekonomia ishte në recesionin më të fortë pas vitit famëkeq 1997 dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit kishin rënë ndjeshëm. Pra, të propozoje një ndryshim ligjor me impakt në buxhetin e shtetit në këtë periudhë ishte realisht shumë e vështirë.

Ndryshimi i qeverisë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ndryshimi i ministrit të Financave na krijoi një të papritur tjetër, për të cilën nuk ishim të përgatitur. Pasi ndërsa kishim vënë gjithçka në vijë me ministren Anila Denaj, na u desht të fillonin konsultimet dhe dialogun nga fillim me ministren pasuese Delina Ibrahimaj. Por, me ministren Ibrahimaj komunikimi dhe bashkëpunimi ishte gjithsesi shumë i frytshëm, i ndihmuar edhe nga vizioni i saj pro-biznes dhe pro teknologjisë. 

Ne realizuam konferencën me pjesëmarjen e të gjithë aktorëve, biznesit, ekspertëve, akademikëve, Ministrisë se Financave dhe medias, që ishte një tjetër sfidë jo e vogël. Konferenca u zhvillua në periudhën e verës gjatë të cilës nuk është e lehtë të sjellësh bashkë të gjithë aktorët. Por pavarësisht sfidave dhe vështirësive, ia dolëm në të gjitha drejtimet për të realizuar atë që kishim marrë përsipër. 

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Ne punuam në disa drejtime, pasi realizimi i idesë sonë kërkonte një përfshirje të gjerë të shumë aktorëve. Kjo duke pasur parasysh objektivin shumë ambicioz që synonim: të bënim një ndryshim ligjor me impakt në buxhetin e shtetit. Punuam me grupet e interesit, duke përfshirë bizneset, që janë edhe përfituesit kryesorë. Punuam me ekspertët e ekonomisë, për të bërë ndërgjegjësimin e opinionit publik. Studiuam tregun për të pasur të dhëna të sakta dhe të besueshme, mbi të cilat të mbështesnim idenë tonë. Lobuam me Ministrinë e Financave gjatë një periudhe në të cilën prioritetet e qeverisë ishin në fakt të përqëndruara tek ndihma e shtresave në nevojë. Në këtë drejtim, lobuam me dy ministre të financave,  për shkak të ndryshimit të qeverisë, cka do të thoshte për ne një përpjekje dhe punë e dyfishtë.

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Ideja që kemi propozuar është një ndihmë e drejtëpërdrejtë për të punësuarit, biznesin dhe ekonominë e Shqipërisë. E para, të punësuarit dhe veçanërisht të rinjtë pritet të përfitojnë trajnime lidhur me degët që konsiderihen si profesione të së ardhmes, si teknologjia e informacionit, marketing, dizajn, kërkim zhvillim, etj. E dyta, biznesi do të lehtësohet nga kostot financiare të trajnimeve, gjë që është një ndihmë jo e vogël për të në një periudhë kur vazhdon të kalojë ditë të vështira. Duke eleminuar këto kosto, sipërmarja ka shtysën e nevojshme që të zhvillojë sa më shumë aktivitete për ngritje kapacitetesh të stafit në drejtimet e mësipërme dhe të përshpejtohet në drejtim të digitalizimit të proceseve të saj. E treta, kemi krijuar një model që mund te plotësohet e përforcohet më tej, nga i cili përfiton ekonomia në tërësi, pasi tani është e qartë që digitalizimi është e ardhmja e ekonomisë botërore dhe ekonomia shqiptare është pjesë e pandarë e saj.  

Nisma “Advokim për politika lehtësuese për aftësitë e reja në sektorin e biznesit” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.


Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?