Bashkitë e vogla dhe sfidat e decentralizimit

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga HDPC

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Sapo nisëm zbatimin e iniciativës dhe zhvilluam takimet e para me aktorët, kuptuam që jo vetëm problemi ishte formuluar në mënyrën e duhur, por edhe që kjo kishte ndodhur në një moment shumë të mirë për të kontribuar me studim, ngritje të diskutimit ndërnivelor, e më tej me propozime të instrumenteve të politikave për ecurinë e decentralizimit në bashkitë e vogla. Në formulimin e drejtë të problemit, kontekstualizimin si dhe adresimin e tij ka ndihmuar shumë eksperienca paraprake e HDPC në bashkëpunimin me të dyja nivelet e qeverisjes. Veçanërisht, na ka ndihmuar njohja nga afër e në kohë e politikëbërjes lokale, konkretisht në bashkitë e vogla, po edhe e sfidave dhe e reformave që kanë ndodhur ndërkohë, dhe që edhe e kanë vështirësuar punën. Kur nisëm punën, kërkimi në raporte dhe literaturë nuk siguronte mjaftueshëm infomacion në lidhje me diferencat midis bashkive të vogla dhe të mëdha. Megjithatë, kontaktimi i institucioneve dhe aktorëve kyç, si dhe sigurimi i të dhënave dhe materialeve thelbësore prej tyre, na kanë ndihmuar në trajtimin dhe adresimin e problemit në mënyrë koherente. Si një reflektim të fundit, fokusimi në dy prej problematikave thelbësore e të qënësishme të bashkive të vogla, përkatësisht, manaxhimi financiar dhe burimet e kapacitetet njerëzore, ishte i vlefshëm për t’u thelluar më shumë mbi to dhe për të orientuar më mirë të gjitha diskutimet dhe analizat.   

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Rezultatet që arritëm përputhen plotësisht me sa prisnim, duke qenë se si objektivat, ashtu edhe aktivitetet që kishim parashikuar në fillim, nuk pësuan ndryshime gjatë zbatimit të iniciativës. Rezultatet e arritura lidhen me: (a) analizën e thelluar të problematikave të decentralizimit në bashkitë e vogla dhe identifikimin e praktikave të mira; (b) propozimet konkrete për të dyja nivelet e qeverisjes, të shtrira në kohë (periudha afatshkurtër – afatmesme – afatgjatë); (c) dakordësimin dhe kuptimin e njëjtë të aktorëve mbi ekzistencën e problematikave të zbatimit të decentralizimit dhe rëndësinë e ndërmarrjes së instrumenteve të propozuara; (d) qytetarë, kryesisht të rinj, të informuar dhe të ndërgjegjësuar për sfidat e bashkive të vogla; dhe (e) institucione të ndërgjegjësuara mbi nevojën për të përmirësuar masat e zbatimit të politikave, për të rritur performancën e politikëbërjes. 

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Sfida konkrete që lidhen me hapat e zbatimit të nismës nuk ka pasur. Por, sfida jonë, nëse mund të quhet e tillë, qëndron në nivel konceptual. Pra, si sfidë do të përmendja përballjen me filozofinë e politikëbërjes lokale: dua të them, përpjekjen e vazhduar që një fakt që evidentohet si problematikë/ pengesë/ sfidë nga ana e qeverisjes lokale e veçanërisht nga ana e bashkive të vogla, të rikonceptohet si një mundësi apo potencial për të ndryshuar qasjen e politikëbërjes dhe përmirësuar kështu performancën e saj. Në njëfarë kuptimi, sfidë ka qenë dhe deri diku mbetet ende, rikonceptimi i politikëbërjes lokale, qasja më aktive dhe shfrytëzimi maksimal i hapësirave ligjore/rregullative, i praktikave të nisura, si dhe potencialeve në territor (lidhur me bashkëpunime, kapacitete njerëzore, etj.) nga ana e njësive të qeverisjes vendore. Veçanërisht për bashkitë e vogla, kjo qasje pritet të japë ndikimin më të madh pozitiv për performancën politikëbërëse dhe ndikimin e saj në komunitetet lokale. 

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Përtej fokusimit në dy problematikat thelbësore të politikëbërjes lokale të bashkive të vogla, një taktikë e qëllimshme ka qenë edhe përfshirja në të njëjtin projekt e 3 bashkive të vogla të qarkut së bashku me bashkinë e madhe të tij. Kjo është bërë me qëllimin për të pasur edhe një këndvështrim krahasimor të problematikave, e po ashtu praktikave të zbatuara nga bashkitë në nivel lokal, në varësi të madhësisë. Në këtë mënyrë ne verifikuam edhe vlefshmërinë e objektivit tonë. Por, qasja kryesore e konceptuar dhe e ndjekur që prej fillimit e në vazhdim ishte përfshirja maksimale e autoriteteve publike (veçanërisht atyre lokale) në çdo hap të zbatimit të nismës, gjë që na siguronte një kuptim të mirë e të plotë të kontekstit. Që në krye të procesit, bashkitë e vogla janë dëgjuar dhe janë bërë pjesë e diskutimeve të thelluara për të gjeneruar një listë me instrumente politikash, të cilat janë të përshtatshme dhe të mundshme për t’u ndërmarrë nga vetë ato. E njëjta rrugë është ndjekur edhe me institucionet qendrore, duke ndihmuar kështu edhe kuptimin e njëjtë të problematikave dhe instrumenteve të zgjidhjes, si dhe matjen e nivelit potencial të angazhimit dhe reflektimit në kohë të masave të propozuara të politikave. 

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Në vijim të diskutimit të ngritur, dakordësimit mbi problematikat dhe rëndësinë e instrumenteve, si dhe pas prezantimit të rezultateve të analizës në mbledhjen e rëndësishme të Këshillit Konsultativ (një takim ky, i nivelit të lartë të qeverisjes qëndrore dhe lokale), ne presim që angazhimi i shprehur përgjatë kohës i institucioneve qendrore e lokale të materializohet, duke marrë formën e një dokumenti politik – sipas rastit, VKM, Urdhër Ministri apo VKB. Nëse dy problematikat kyçe, ato të burimeve financiare, burimeve njerëzore dhe kapaciteteve, do të mund të adresohen në kohë, atëherë bashkitë e vogla do të kenë mundësinë të performojnë më mirë, duke përballuar reformat decentralizuese dhe ofruar shërbimet për komunitetet e tyre. 


Nisma “Bashkitë e vogla dhe sfidat e decentralizimit “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?