Mbështetje për lehtësimin nga pagesa e tarifave vendore për familjet në nevojë në Bashkinë e Pogradecit dhe Maliqit, si model për replikim edhe në bashki të tjera të vendit.

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga Fondacioni Edu-Pro

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Që në fillim ishim të qartë se bashkitë kanë tendencën të jenë më shumë të fokusuara tek investimet në infrastrukturë dhe shërbime, duke u përqendruar më pak tek çështjet e luftës ndaj varfërisë apo mbështetja e shtresave në nevojë. Gjithmonë ka nevojë “t’i kujtojmë” bashkitë që ka disa shtresa që kanë nevojë për vëmëndje dhe kujdes të shtuar. Por, në morinë e nevojave, morëm kohë që në pikënisje që ta artikulojmë në mënyrë të fokusuar çështjen specifike me të cilën do të merreshim, në mënyrë që edhe procesi në vijim të mos haste pengesa që vinin nga paqartësia. Ajo që donim të adresonim mund të përmblidhet në disa pika: 

Së pari, nevoja që vetë grupet shoqërore në nevojë të ngrenë zërin dhe të jenë më aktivë në kërkimin e të drejtave të tyre. Por që kjo të ndodhë, këto grupe duhet të vetëdijësohen dhe për këtë ne duhet të komunikonim me ta dhe t’i kishim aktorë kyç në proces. 

Së dyti, ndërgjegjësimi i publikut se atje ku ka varfëri, nuk mund të ketë zhvillim. Pra, zhvillimi ekonomik dhe lufta ndaj varfërisë duhet të ecin paralelisht. Rrjetet sociale, vëzhgimi me pyetësor dhe mediat lokale kanë qenë instrumenti për këtë aspect.

Së treti, ndërgjegjësimi i vendimmarrësve lokalë se duhet të ndërmarrin instrumente në mbështetje të shtresave në nevojë, në mënyrë krijuese dhe në përputhje me kontekstin lokal. 

Së fundi, ndarja e historive të suksesit si praktika të mira që mund të replikohen edhe në bashkitë e tjera.

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Përgjithësisht, rezultatet e pritshme u arritën gjatë zbatimit të projektit. Sensibilizimi i opinionit publik në lidhje me nevojën për mbështetje të shtresave në nevojë u konfirmua në përgjigjet e pyetësorit nëpërmjet mbështetjes së komunitetit në masën 98%.

Ishte parashikuar që numri i përfituesve nga reduktimi i tarifave në Bashkinë Pogradec dhe Maliq të ishte 6,900 familje. Ndërkohë, në përfundim të projektit, për shkak të miratimit të paketave fiskale të vitit 2022, nga ulja përfituan 8,467 familje, pra 1,567 familje më shumë se sa ishin parashikuar në fillim të procesit. 

Reduktimi i tarifave për familjet me kryefamiljare gra dhe pensionistë të vetmuar u realizua në masën 100% (përjashtim i plotë nga pagesa e tarifave vendore), ndërkohë që për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike reduktimi u miratua në masën 30% për vitin 2022, me objektivin që çdo vit të ulet edhe me 30% të tjera vit pas viti.

Vendimet për të dyja Këshillat Bashkiakë u miratuan me unanimitet, ndërkohë që parashikonim një proces më të vështirë miratimi dhe ndoshta edhe kundërshtim të projektvendimit nga disa këshilltarë.

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Zbatimi i projektit ishte një sfidë në vetvete sepse në çdo hap të tij na duhej të ndesheshim me pengesa të cilat duhej t’i adresonim dhe jo t’i anashkalonim. Disa nga sfidat me të cilat jemi ndeshur gjatë zbatimit të projektit janë:

Shtresat në nevojë nuk janë aktive në kërkimin e të drejtave të tyre. Ato nuk janë të organizuara në grupime apo shoqata dhe presin prej të tjerëve që të punojnë për t’u lehtësuar jetën. Gjithashtu, ishte e vështirë të gjeje përfaqësues të çdo grupimi përfitues që mund të ndiqte procesin dhe të ishte aktiv në trajtimin e shqetësimeve të shtresës që përfaqëson. 

Punonjësit e administratës së bashkisë (zyra e kujdesit social dhe zyra e taksave), në rutinën e punës së tyre të përditshme e kanë të vështirë të ndërmarrin ose të mbeshtetin iniciativa, të cilat ndryshojnë ritmin e tyre të punës dhe u shtojnë detyra jashtë kornizës së punës së zakonshme.

Prirja e bashkive është kërkimi i mënyrave për rritjen e të ardhurave të tyre dhe kërkesat për reduktim taksash dhe tarifash “bien ndesh” me tendencën vit pas viti për të patur buxhete më të mëdha. Për këtë arsye, asistuam zyrat e taksave edhe në identifikimin e mënyrave për kompensimin e pasojave financiare që shkakton vendimi për uljen e tarifave për shtresat në nevojë.

Rivaliteti midis Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak dhe protagonizmi i secilës palë kërkoi mjaft kujdes në procesin e lobimit për miratimin e vendimit.

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Përgjithësisht ndoqëm rrugët e parashikuara. Pra, kontakt paraprak me shtresat në nevojë dhe sensibilizim të komunitetit dhe përgatitje dhe realizim të pyetësorit për matjen e gatishmërisë së komunitetit për të mbështetur grupet në nevojë. 

Nëse komuniteti është i gatshëm të mbështesë grupet në nevojë dhe është dakord që këto grupe të lehtësohen nga pagesa e tarifave vendore, atëhere vendimmarrësve u mbetet të kthejnë në vendim vullnetin e zgjedhësve. 

Qasja jonë rezultoi e efektshme, sepse komuniteti shprehu mbështetjen në masë abosulte dhe kjo e lehtësoi punën në hapat e mëtejshëm, në lobim dhe advokim. 

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Ne besojmë se praktika e zbatuar në Bashkitë e Pogradecit dhe Maliqit do të ketë impakt pozitiv në dy drejtime:

Së pari, u vendos një praktikë kujdesi për shtresat në nevojë që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Pritet që, duke qenë se këto vendime reflektohen edhe në buxhetet afatmesme, ulja do të behet e plotë deri në përjashtimin total prej pagesave për të gjitha  familjet në nevojë.

Së dyti, përvoja e këtyre bashkive mund të replikohet nga bashki të tjera të rajonit dhe më gjerë. Pra është një eksperiencë që integron proceset për zhvillim ekonomik me kujdesin për shtresat në nevojë dhe luftën ndaj varfërisë ekstreme.

Nisma “Mbështetje për lehtësimin nga pagesa e tarifave vendore për familjet në nevojë në Bashkinë e Pogradecit dhe Maliqit, si model për replikim edhe në bashki të tjera të vendit.” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?