Mbro Shëndetin, Menaxho Sfidat

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga Together for Life

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Synimi ynë fillestar ishte që të kontribuonim në hartimin e Strategjisë 10 vjeçare të shëndetësisë, veçanërisht në objektivin që lidhej e menaxhimin e sëmundjeve kronike. Duke qenë se hartimi i strategjisë kishte nisur, nga takimet paraprake me ekspertët dinim se cila ishte qasja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndaj strategjisë e re. 

Para se të nisnim iniciativën tonë, kishim informacion të qartë lidhur me:

  • situatën e sistemit shëndetësor në tërësi, 
  • vështirësitë e grupeve të veçanta si pacientët kronikë në sistemin shëndetësor, veçanërisht në kuadër të pandemsë COVID-19, 
  • nivelin e ulët të përgatitjes së sistemi për t’ju përgjigjur nevojave akute të pacientëve në një kohë që asgjë nuk po funksiononte më si më parë – veçanërisht për sëmundjet që merrnin shërbim të centralizuar vetëm në sistemin terciar, pra në Tiranë.

Gjithashtu, ishim pjesë e takimeve online, kombëtare dhe ndërkombëtare që bëheshin në kuadër të pandemisë Covid-19, ku nga Samiti Global i Shëndetit si dhe takimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohej fuqishimisht që sistemet shëndetësore të ishin të përgatitura për pandemi/epidemi të mundshme. 

Ajo çfarë mësuam ishte se në strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ishte parashikuar asnjë plan i mirëfilltë për menaxhimin e sëmundjeve kronike në rast krizash. Në këtë kontekst ndërhyrja që propozuam përmes këtij projekti ishte e domosdoshme, dhe nuk patëm nevojë në asnjë moment që ta rishikonim apo ta ndryshonim. 

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit) ? 

Duke njohur vështirësitë që ka shoqëria civile për tu bërë pjesë reale e vendimmarrjes, besonim që së paku do të arrinim të zhvillonim takime me përfaqësues të Ministrisë, si një e drejtë që lind nga ligji për konsultimin publike, dhe që sugjerimet tona do të konsideroheshin, “pa u bërtitur” që ky është kontribut që vjen nga organizata. Në fakt, arritëm më shumë, pasi sugjerimet tona jo vetëm që u konsideruan, por u reflektuan të cituara në strategjinë re. 

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Sfida e parë ishte, prodhimi i një materiali cilësor dhe mbi bazë evidencash për t’ia paraqitur Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Po ashtu, duhet të sillnim në ekip një ekspert që njeh fushën, njeh institucionet, por njeh edhe këndvështrimin apo rolin e shoqërisë civile në këtë ndërhyrje. Besoj se e kaluam me sukses, dhe bashkëpunuam me një ekspert që njeh mirë politikat shëndetësore. Gjithashtu, ishte sfidë përfshirja e mjekëve apo aktorëve të tjerë pjesë e sistemit publik shëndetësor në takime, në fokus-grupe, apo dhe në intervista të thelluara, pasi dukej sikur do shpalosnin problematikat e sistemit dhe kjo do t’i “dëmtonte” në punën e tyre, në marrëdhënie me eprorët. Pra, faza e mbledhjes së të dhënave, ka qenë sfiduese. Na është dashur të garantojmë secilin pjesëmarrës që përfshirja në këtë proces do jetë kofidenciale, dhe se mendimet/sugjerimet do t’u shërbejnë vetëm  hartimit të raportit, pasi menaxhimi i sëmundshmërisë kronike, prek drejtpërdrejt edhe mjekët, jo vetëm pacientët. Për fazën e dytë dhe të tretë, që lidhej me advokimin dhe lobimin në Ministri kemi patur një strategji shumë të qartë komunikimi të drejtpërdrejtë me aktorët kyç dhe me mesazh të artikuluar qartë, gjë që garantonte efikasitet në arritjen e qëllimit tonë. 

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Duke patur shumë vite eksperiencë në këtë fushë, ishim dhe jemi të ndërgjegjshëm që emailet humbasin, sidomos kur nuk nisen tek personi i duhur. Gjithashtu, në forumet e konsultimeve publike marrin pjesë një numër shumë i madh organizatash dhe kjo të kufizon kohën e komunikimit. Për më tepër ajo që thuhet mbahet vetëm pjesërisht shënim. Për këto arsye zgjodhëm të provonim mënyra të tjera për t’u dëgjuar. Emailet i conim drejtpërdrejt në adresën zyrtare të Ministrit të Shëndetësisë. Në konferencat ku ishte e ftuar Ministria dhe ishte e mundur të shkëmbeje dy fjalë me përfaqësuesit e Ministrisë nxitonim t’u përmendnim emailin dhe t’u kërkonim që strategjia të mos kalonte pa u konsultuar. Po ashtu, në takimin që Ministria zhvilloi për strategjinë, ku të ftuar ishin të gjitha aktorët, jo vetëm shoqëria civile, morëm fjalën dhe shprehëm edhe një herë kërkesat tona. 

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Pritshmëritë tona nga ky projekt i kemi arritur: Në strategjinë e re të shëndetësisë është përcaktuar tashmë edhe menaxhimi i sëmundjeve kronike në raste emergjencash shëndetësore. Po ashtu, në këtë strategji citohet kontributi i shoqatës “Together for Life”. Sigurisht, në vazhdimësi presim që ky përcaktim në strategji të kthehet në një plan veprimi dhe të zbatohet në situatat e krizave që mesa duket do të vazhdojnë të jenë pjesë e konteksit. 

Jetojmë në një realitet që ndryshon çdo ditë, dhe ajo cfarë na takon të bëjmë është që të bashkëpunojmë midis nesh, të koordinojmë veprimet, për të arritur më të mirën për grupet specifike me të cilat punojmë. Në këtë situatë ku pasiguritë të do të jenë prezente, impakti i pritshëm është që edhe Shqipëria të ketë strategji të qartë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, pavarësisht natyrës së emergjencës. 

Nisma “Mbro Shëndetin, Menaxho Sfidat” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?