Published by admini
Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga Qendra T’Reja
. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?
Ndryshimi i kriterit të moshës së përfitimit social, që ishte edhe objektivi ynë, ishte i mirëpërcaktuar dhe i njohur nga të treja organizatat partnere që nisën këtë iniciativë. Ajo çfarë ka ndryshuar përgjatë punës në terren lidhet me zgjerimin e target grupit. Fillimisht, ne kishim targetuar të moshuarit e pakicës Rome dhe Egjiptiane, pra ata që na kanë nxitur për ta ngritur si shqetësim dhe për të ndërhyre. Mirëpo gjatë zbatimit të nismës, kuptuam se interesi për këtë ndërhyrje në ligj shkonte përtej këtyre pakicave, duke marrë parasysh interesin e treguar nga mosha e tretë që nuk jane as rom as egjiptian. Ndaj lindi nevoja për t’u fokusuar tek ata që nuk e përfitojnë pensionin social për shkak të moshës pavarësisht se janë apo jo pjesë e ndonje pakice.
Kjo na ka ndihmuar në dy drejtime kryesore:
Së pari, është një hap më tej në thyerjen e paragjykimeve mbi pakicat Rome dhe Egjiptiane, si grupe që nuk dinë vetëm të ankohen, por edhe që mund të japin për shoqërinë, të vetë organizohen, madje dhe të bëhën nismëtarë të një ndryshimi politik me rëndësi.
Së dyti, zgjerimi i rrjetit, kontakteve dhe bashkëpunëtorëve të organizatave është një vlerë e shtuar e këtij rrugëtimi
2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)?
Ndryshimi i kriterit të moshës për përfitimin e pensionit social, ngjan i çuditshëm për institucionet në një kohë që ka përpjekje edhe për të rritur edhe moshën e pensionit të pleqërisë. Megjithatë një prej arritjeve është fakti se zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, do t’ i drejtohet parlamentit për të ngritur shqetësimin. Nga ana tjetër, ndryshimi ligjor do të përfshihet si objektiv tek konkluzionet operacionale të Seminarit të Dialogut Politik Shqipëri-BE për pakicat rome dhe egjiptiane. Përfshirja tek ky dokument e legjitimon kërkesën tonë dhe na jep mundësinë për të vazhduar procesin.
3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?
Gjatë gjithë procesit, qëndrimi i institucioneve, veçanërisht i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka qënë një sfidë më vete. Sipas tyre, ky ndryshim do të dekurajojë njerëzit të paguajnë sigurimet shoqërore duke qënë se e kanë të sigurt përfitimin e pensionit social në të njëjtën moshë me atë të pleqërisë. Nga ana tjetër, edhe kur i jemi drejtuar portalit të bashkëqeverisjes, sipas përgjigjjes nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për të kërkuar këtë ndryshim ligjor nuk mjafton thjesht një kërkesë nga ne, por duhet të ndiqen disa rrugë të tjera të tilla si: mbledhja e firmave të 20.000 zgjedhësve apo ngritja e problemit nga çdo deputet apo Këshilli i Ministrave. Procesi në vetvetë është i vështirë për aq kohë sa kërkohet rritje e buxhetit të shtetit të dedikuar për këtë kategori. Në këtë rast do doja të theksoja se mbledhja e 20.000 firmave është një nismë ligjore që mund ta ndjekë çdo grup i interesuar për të kërkuar ndryshime, por rruga më e vështirë për mendimin tim. Nga ana tjetër, ekzistojënë mënyra më të thjeshta për ta sjellë një çështje në vëmëndjen e politikbërësve të tilla si nisma e ndërmarrë nga Këshilli i Ministrave apo nga një deputet. Megjithatë këto dy mënyra, pavarësisht se janë më të thjeshta nuk vihen në zbatim nësë nuk kanë ndonjë interes partiak. Ndaj në rastin tonë na është dashur të kombinojmë mënyra të ndryshme për t’ju qasur institucioneve për aq kohë sa nuk ka interes politik dhe po përpiqet të thyejë barrier politike.
4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?
Ajo çfarë ne e quajmë pikën tonë më të fortë është organizimi komunitar. Përfshirja e drejtpërdrejtë në të gjithë procesin e grupit të interesit na ka ndihmuar përgjatë gjithë nismës. Fillimisht kemi mbledhur të dhëna nga 315 persona në Korçë, Elbasan dhe Shkodër për të nxjerrë në pah nevojën për ndryshimin e ligjit. Veç kësaj, analizës së të dhënave i kemi shtuar dhe analizën ligjore dhe atë të kostos së buxhetit. Me pak fjalë na u desh të përgatiteshim për të folur me gjuhën e politikbërësve. Nga ana tjetër kemi dërguar shkresa dhe kemi zhvilluar takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse. Veç kësaj i jemi drejtuar me një ankesë zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Megjithatë duke parë rezistencën e institucioneve, lindi nevoja për të vepruar ndryshe. Veç mediatizimit dhe përdorimit të rrjeteve sociale, vendosëm të firmosim një peticion në më shumë se 3 qytete të Shqipërisë. Këtu u përballëm me mungesën e burimeve njerëzore. Në këtë moment, pas konsultimit me Co-PLAN, hapëm një thirrje për vullnetarë të cilët do të na ndihmonin në mbledhjen e firmave. Mund të themi se ishim shumë dyshues mbi angazhimin e njerëzve, por doli jashtë parashikimeve tona. Për fat të mirë, ndjëshmëria e njerëzve mbi këtë çështje është shumë e lartë dhe janë angazhuar rreth 20 vullnetarë duke filluar nga Malësia e Madhe deri në Përmet. Gjithashtu u jemi drejtuar të gjithë deputetëve të parlamentit të Shqipërisë për të kërkuar këtë ndryshim ligjor. Tek e fundit po ndjekim këshillën e Ministrisë së Financave dhe Energjitikës.
5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?
Ndryshimi i kriterit të moshës do të sillte drejtpërdrejtë përfitimin e pensionit social të të paktën 3,000 personave në të gjithë Shqipërinë. Veç kësaj, aktualisht impakti i këtij procesi ka kaluar nga dy grupe etnike tek të gjithë ata që nuk përfitojnë dot pensionin sociale për shkak të moshës pavarësisht se nuk janë romë apo egjiptianë. Gjithashtu kanë shprehur interes për të kontribuar edhe persona të cilët nuk janë përfitues të drejtpërdrejtë, por kanë dëshirë të japin kontributin e tyre për moshën e tretë. Ky angazhim shkon përtej kornizave të një projekti, sepse siguron qëndrueshmëri për të vazhduar procesin dhe për t’u përfshirë në nisma të tjera të ngjashme.
Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.
A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?