Published by admini
Turizmi shqiptar ka njohur një zhvillim dinamik në
këto 20 vitet e fundit. Ndërsa numrat e turistëve janë në rritje të konsiderueshme
(duke përjashtuar periudhën e pandemisë), çështja që po bëhet emergjente është
mungesa e vizionit të qartë të zhvillimit të këtij turizmi, aq më tepër që
rritja sasiore ose turizmi masiv, dihet tashmë, që shoqërohet me probleme të
shumëllojshme sociale, por edhe ekonomike. Kështu, në një destinacion si
Shqipëria, është i nevojshëm zhvillimi jo vetëm sasior, por edhe cilësor i
turizmit. Zhvillimi cilësor i turizmit, e kthen atë në një zhvillim të
qëndrueshëm, në të mirë ekonomike dhe sociale të të gjithë banorëve lokal me
shtrirje kudo në Shqipëri, pra jo vetëm në zonat bregdetare ku është dhe
përqendrimi më i madh i turizmit. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i
shumëllojshëm i turizmit adreson problemin e sezonalitetit të turizmit, që përbën
pikën më të dobët e turizmit dhe që ka ndikim negativ mbi të gjitha në
punësimin në turizëm dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave turiste dhe të
vendit në tërësi.
Por që të realizohen të gjitha këto, është e nevojshme
përveç përvojës dhe ekspertizës më të mirë të huaj, edhe përfshirja në
vendimmarrje e aktorëve kryesorë të turizmit në vend. Në vendet me një përvojë
dhe zhvillim të qëndrueshëm turistik, kjo gjë po realizohet me krijimin e
OMD-ve (ne anglisht DMO- Destination Management Organisation), që janë
organizata të menaxhimit të destinacioneve.
Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), që e njeh dhe e promovon krijimin e OMD-ve, i përkufizon ato në këtë mënyrë: “OMD është një institucion udhëheqës organizativ që përfshin institucione publike, aktorë dhe profesionistë të turizmit dhe mundëson partneritete të sektorit të turizmit drejt një vizioni të përbashkët të destinacionit turistik. Struktura administrative e OMD-s varion nga një institucion i vetëm publik, në një model partneriteti publik/privat, me rol kryesor nisjen, koordinimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të tilla, si implementimi i politikave të turizmit, planifikim strategjik, zhvillim produkti, promocion dhe marketing, dhe aktivitete të zyrës së “turizmit të biznesit” (Convention Bureau). Funksionet e OMD-s variojnë nga niveli kombëtar, në atë rajonal dhe lokal, në varësi të nevojave dhe shkallës së decentralizimit.”
Ligji shqiptar për turizmin (Nr. 93/2015) nuk përmban një përkufizim të OMD-ve. Sipas studimeve të kryera, jane disa tentativa dhe modele OMD në krijim e sipër në Shqipëri, por nuk ka një model standard të OMD-ve, si duhet të jetë forma e tyre, dhe si duhet të funksionojnë.
Krijimi i OMD-ve, është jo vetëm domosdoshmëri, por është detyrim ligjor që buron nga strategjia Kombëtare për Turizmin e Qëndrueshëm 2019-2023. Një nga objektivat e strategjisë (nr.5) është krijimi i bazës ligjore për OMD, ndonëse për këtë objektiv nuk ka afate të përcaktuara. Bazuar në afatin e përfundimit të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Turizmin (2023), kohës së nevojshme për ndërmarrjen e nismës ligjore, konsultimin publik me katër institucionet dhe aktorët kryesore të turizmit, paraqitjes së nismës në Kuvendin e Shqipërisë, afatet e procedurës parlamentare deri në miratim dhe hyrjen në fuqi të ligjit dhe më pas hartimi i akteve nënligjore, periudha në dispozicion dikton nevojën e mobilizimit të gjithë aktorëve dhe energjive që mbart sektori publik dhe privat, donatorët dhe shoqëria civile në Shqipëri për përmbushjen e këtij objektivi.
Për të mësuar më shumë referojuni publikimit të realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Përmbajtja e tij
është përgjegjësi e vetme e projektit “Rritje ndërgjegjësimi dhe lobim të
politikbërësit për zhvillimin e modelit të OMD-ve në Shqipëri”, i zbatuar nga
DMO ALBANIA me mbështetjen e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit si
pjesë e projektit “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në
Shqipëri-ideAL” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit
Evropian.
Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.
A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?