Published by admini
Në dekadat e fundit, shumë vende kanë kryer reforma të ndryshme në sistemet shëndetësore, përfshirë edhe vendet e Europës Lindore, si në sistemin parësor ashtu edhe në atë spitalor. Në Shqipëri, “Ligji i shërbimit spitalor në vitin 2003” kishte për qëllim riformatimin e këtij shërbimi në një dimension të ri në aspektin e organizimit, financimit, funksionimit dhe kontrollin e veprimtarisë në fushën e shërbimit spitalor në vend, një ligj që shërbeu për dy dekada, por që nuk mundi të implementohet në mënyrë optimale dhe t'i qëndrojë kohës në respekt të ndryshimeve komplekse, si: zhvillimeve në teknologjinë e informacionit, ndryshimeve demografike të popullatës dhe të personelit mjekësor, financimeve jo adekuate, mungesën e investimeve infrastrukturore të qëndrueshme dhe bashkëkohore, mosfunskionimi si duhet i sistemit të referimit, demotivimi i personelit mjekësor, dhe së fundmi influencat politike dhe polarizimi politik me ndikim direkt në shëndetësi, si një nga sektorët më të rëndësishëm të një vendi.
Ligji i ri i shërbimit spitalor në Shqipëri, u prezantua verën e vitit 2022 në mënyrë të përshpejtuar dhe pa u diskutuar me të gjithë grupet e interesit që preken direkt dhe indirekt (referuar edhe nga burime të Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë), pa u konsultuar me komunitetin/ shoqërinë civile, dhe më e rëndësishmja me specialistët e pavarur në fushën e politikave shëndetësore, e duke mos u konsultuar as me organizata/entitete apo profesionistë me eksperienca në autonominë spitalore nga vende ku është implementuar më herët, në mënyrë që të nxirreshin problematikat dhe të përmirësoheshin në kohë mekanizmat për të pasur zbatim sa më të suksesshëm.
Reformat
në shëndetësi janë sfida në çdo vend të botës, por në vende si Shqipëria
përbëjnë akoma më shumë sfida, për shumë arsye që u cituan më lart, dhe jo
vetëm.
Autonomia
spitalore, si metodë menaxhimi dhe financimi e shërbimit spitalor, aplikohet në
disa vende të zhvilluara dhe vende më pak të zhvilluara.
Ky raport, i cili në thelb vlerëson nismën ligjore “Për Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, organizohet në dy kapituj:
Legjislacioni i hartuar me nxitim, sikurse ishte ligji për shërbimin spitalor, mund të mos arrijë objektivin e tij ose mund ta arrijë atë me kosto komplekse të larta, gjithashtu është më i vështirë për t’u zbatuar, pavarësisht dëshirës së mirë.
Ky raport studimor me autor Prof. Rustem Celamin, i hartuar bazuar në një përqasje metodologjike cilësore ka për qëllim të jape një kuptueshmëri më të qartë të gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor lidhur me menaxhimin dhe financimin e sektorit, pritshmëritë/ perceptimet/ qëndrimet e profesionistëve që janë pjesë direkte dhe indirekte e shërbimit spitalor lidhur me ndryshimet ligjore dhe reformimin e sistemit.
Për të mësuar më shumë, shkarkoni raportin e plotë.
Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.
A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?