Published by admini
Ky dokument politikash synon të dokumentojë reagimin1 e qeverive vendore në Shqipëri ndaj emergjencës së COVID-19, duke u fokusuar te periudha përpara shpërthimit të pandemisë (janar-shkurt 2020) dhe periudha e izolimit (mars-prill 2020).
COVID-19, me më shumë se 8 milion raste të konfirmuara në mbarë botën, me më tepër se 440,000 vdekje dhe me një kurbë që sa vjen e rritet, mbetet një prej pandemive më të rëndësishme të shekullit të 21-të.2 Shpërthimi i COVID-19, ndonëse u shpalos si emergjencë shëndetësore, ka pasur dhe do të vijojë të ketë pasoja të rënda afatshkurtra deri afatgjatë socio-ekonomike dhe financiare në të ardhmen, duke përfshirë edhe ndërlikime morale e etike dhe të demokracisë.
Në këtë situatë tejet komplekse, qeveritë vendore, duke qenë se ndodhen shumë pranë qytetarëve, mund dhe duhet të luajnë rol të rëndësishëm në menaxhimin e emergjencave, si dhe të qeverisin në mënyrë të tillë që të garantojnë rimëkëmbje dhe përgatitje për të ardhmen. Megjithatë, siç vihet re edhe nga raporte të tjera, reagimi i qeverive vendore, në nivel ndërkombëtar, ka qenë asimetrik nga pikëpamja territoriale. Kjo vjen për shkak të tipareve të ndryshme të sistemeve të qeverisjes në vende të ndryshme, veçorive territoriale dhe gjeografike, formës dhe nivelit të urbanizimit të qyteteve, nivelit të përgjithshëm të zhvillimit, si dhe niveleve të investimeve për mundësimin e aftësisë ripërtëritëse në nivel vendor.
Në Shqipëri, emergjenca e COVID-19 është menaxhuar nga qeveria qendrore, ku përfshirja e qeverive vendore ka qenë e ulët dhe e kufizuar. Ndonëse ligjërisht bashkitë luajnë rol domethënës në përballimin e fatkeqësive në të gjitha fazat (gatishmëri/përgatitje, reagim/përgjigje ndaj emergjencës, rimëkëmbje dhe planifikim për të ardhmen), ato janë të dobëta teknikisht dhe financiarisht për ta realizuar këtë rol. Situata është edhe më pak shpresëdhënëse në rastin e fatkeqësive biologjike, veçanërisht të pandemive, ku efekti dhe implikimet e fatkeqësisë nuk kufizohen në rang territori (janë ndërterritoriale) dhe përgjigja duhet të jetë e mirëkoordinuar në të gjitha nivelet e qeverisjes (vertikalisht) dhe midis të gjithë aktorëve (horizontalisht).
Andaj, fokusi i këtij dokumenti është pikërisht të hedhë dritë mbi mënyrën se si qeveritë vendore në Shqipëri reaguan gjatë emergjencës së COVID-19. Qëllimi është të vështrohen imtësisht rolet dhe sfidat e hasura prej tyre, e për rrjedhojë, të krijohet njohuria e nevojshme për përballimin e fatkeqësive dhe rimëkëmbjen në të ardhmen e afërt, si dhe të propozohen disa hapa bazë për mundësimin e aftësisë ripërtëritëse në nivel vendor. Dokumenti është përgatitur bazuar në gjetjet e një anketimi të përgjithshëm që Co-PLAN dhe Shoqata për Autonominë Vendore ka realizuar në muajin prill 2020 në të 61 bashkitë e Shqipërisë.
Për më shumë informacion shkarkoni dokumentin.
Reagimi i Qeverive Vendore ndaj Emergjencës së Covid-19 në Shqipëri: Janar 2020- Prill 2020
Nisma “Advokim për politika lehtësuese për aftësitë e reja në sektorin e biznesit” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.
A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?