Renta4Bashkitë

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikë-bërje nga SHAV SHBSH

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Nisma jonë synonte ngritjen e përqindjes që duhet të marrin bashkitë nga renta minerare. Kjo nismë ishte sa legjitime, aq edhe instrument për të rritur të ardhurat lokale. Por, përgjatë zbatimit të projektit u hasëm me të papritura, sikurse ishte dhe vendimi i qeverisë mbi ngrirjen e rentës minerare, për tre vjet në zero. Ky vendim preku ligjin për taksat kombëtare dhe po ashtu afektoi të ardhurat nga këto taksa në bashkitë përfituese. Ky fakt e bëri projektin shumë më sfidues. Përveç përballjes me efektin negativ në të ardhurat vendore në bashki ku të niveli ekonomik është gjithsesi shumë i ulët, ky vendim solli edhe zhgënjim tek administrata lokale, gje që  ndikoi entuziazmin për iniciativën. 

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Pavarësisht vështirësisë thelbësore që u krijua si rezultat i zhvillimeve politike, zgjedhjeve parlamentare dhe situatës ekonomike të nxitur nga pandemia, ne vazhduam procesin. Pra, rritja e rentës minerare në favor të bashkive nuk është miratuar ende, por kjo rritje është studiuar dhe është parashikuar, dhe mbi të gjitha është indikuar në planin e veprimit të strategjisë së decentralizimit. Gjithashtu është përgatitur një dokument me propozime për ndryshime ligjore, i cili është referuar në komisione parlamentare dhe prezantuar në Këshillin Konsultativ të qeverisjes vendore. Ndërmorëm hapa aktivë për lobim nëpërmjet aktiviteteve mediatike për publikimin e nismës për ndyshimin e ndarjes së të ardhurave nga renta minerare dhe takimeve me grupe të interesit, duke rritur kështu ndërgjegjësimin e aktorëve në nivel kombëtar dhe të ministrive të linjës.

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Një sfidë logjistike ishte organizimi i takimeve me pjesëmarrje fizike për arsye të masave anti-COVID. Mirëpo për ne, takimet fizike ishin të rëndësishme pasi çështja e diskutuar ka ndjeshmëri shumë të lartë mes aktorëve. Një sfidë tjetër ishte dhe një lloj mosbesimi nga ana e qeverisjes vendore mbi këtë ndryshim që në pikënisje, për arsye të nismave të mëparshme të ndërmarra, të cilat nuk kishin patur sukses. Ngrirja e rentës për tre vjet solli sërisht zhgënjim mes tyre. Gjithashtu për arsye të zgjedhjeve parlamentare, nuk arritëm të prezantonim në kohë draftin në komisione parlamentare ndaj na u desh ta shtynim procesin me 3 muaj, në mënyrë që ta prezantonim draftin në dy komisionet parlamentare.

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Dhe pse konteksti ishte shumë sfidues, qoftë nga situata pandemike dhe qoftë nga numri i shumtë i aktiviteteve të parashikuara, me angazhim maksimal arritëm t`i kryejmë aktivitetet sipas planit fillestar. Plani i aktiviteteve ishte shumë i menduar dhe i detajuar gjë që na ndihmoi që zbatimi i iniciativës të ishte me hapa të qartë. Nisëm me prezantimin e nismës tek bashkitë e përzgjedhura, e mandej vijuam me krijimin e grupeve të punës në këto 14 bashki, përfshirë konsultime të ngushta me kryetarët dhe specialistë të fushës në çdo bashki. Realizuam konsultime me aktorë në nivel kombëtar për të analizuar situatën aktuale si dhe tre takime rajonale mbi draftin e dokumentit të advokimit të rritjes së nivelit të rentës dhe thjeshtimin e procedurave burokratike. Mbi këtë bazë, përgatitëm dokumentin përfundimtar të advokimit, përfshirë propozimet për ndryshime ligjore. Gjithashtu, ndërmorrëm një aksion për lobim për ta prezantuar dokumentin në mbledhjen e Këshillit Konsultativ si dhe për të ndarë propozimet tona publikisht dhe mediatikisht. Në përfundim, rekomandimet tona i paraqitëm edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare. 

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Objektivi yne kryesor, në nivel impakti, ka qenë dhe mbetet që kjo nismë e fokusuar tek të ardhurat nga renta minerare, të kontribuoje ne forcimin e autonomisë fiskale dhe financiare të NJQV-ve, si një element i rëndësishëm i decentralizmit dhe forcimit të demokracisë vendore. Në periudhën afatmesme me rëndësi është parashikimi i bërë nga qeveria qendrore mbi rritjen e përqindjes së të ardhurave nga renta minerare për bashkitë. Përtej këtyre qëllimeve, arritëm të vendosim një gur kilometrik në ndërgjegjësimin e aktorëve në nivel kombëtar, përfshirë Këshillin Konsultativ, ministritë e linjës apo dhe komisionet parlamentare për Ekomominë dhe Financat si dhe Nënkomisionin parlamentar për Qeverisjen Vendore, mbi nevojën për këtë nisëm dhe për fuqizim të decentralizimit. Besojmë se ky ndërgjegjësim është arritur, por aksionet tona të lobimit dhe advokimit do të vazhdojnë për ta kthyer propozimin mbi rritjen e përqindjes së rentës në akt ligjor.


Nisma “Renta4Bashkitë” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?