Rritje ndërgjegjesimi dhe lobim tek politikbërësit për zhvillimin e modelit të DMO-ve në Shqipëri, në zbatim të strategjisë 2019-2023 për Turizmin e Qëndrueshëm

Published by admini



Aspekte për Reflektim – Nisma për ndikim në politikëbërje nga DMO Albania

. A mendoni që e kishit formuluar problemin në fokus të ndërhyrjes tuaj në mënyrën e duhur, apo lindi nevoja të rishihet rrugës?

Synimi yne fillestar ishte që të vinim në lëvizje objektivin 5 të Strategjisë së Turizmit të Qëndrueshëm 2019-2023, për të cilin nuk ishte bërë asgjë konkrete. Ky objektiv ka të bëjë me krijimin e DMO-ve në Shqipëri. Para se të nisnim iniciativën tonë nuk kishim informacion të qartë se përse ky objektiv nuk ishte zbatuar. Por, nga përvoja jonë e mëparshme në bashkinë e Gjirokastrës, nuk kishim dyshim se duhej të advokonim për krijimin e DMO-ve. 

Arësyet e moszbatimit të objektivit 5 i zbuluam rrugës gjatë studimeve dhe kërkimeve tona në takimet e para me përfaqësuesit e institucioneve. Ajo që mësuam ishte se Ministria nuk kishte një hartë të qartë hapash dhe afatesh, në lidhje me DMO-të dhe kishte mbështetur një marrëveshje me një donator që ai ta zbatonte këtë pikë. Mirëpo, kjo qasje ushqente paqartësi dhe mungesë koordinimi edhe mes të gjithë aktorëve të interesuar për DMO-të. Pra, të gjithë ishin të fragmentuar dhe mungonte orientimi dhe lidershipi nga Ministria e linjës. Kjo njohuri e përfituar në proces e sipër, vetëm sa konfirmoi dhe përforcoi faktin se kishim bërë zgjedhjen e duhur me çështjen tonë.

2. Cilat janë rezultatet e arritura (në përfundim të procesit) krahasimisht me rezultatet e pritshme (në fillim të procesit)? 

Besoj se e kemi arritur rezultatin e projektuar që në nisje të iniciativës. Ne e konceptuam ndërhyrjen tonë në dy fushata të ndërthurura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Pra nga një anë duhej të ndërgjegjësonim aktorët lokalë dhe nga ana tjetër të advokonim tek politikëbërësit që të krijohej modeli i DMO-ve në Shqipëri, së bashku me kornizën strategjike dhe ligjore të tij. Vendosëm të fokusohemi në Berat, Pogradec e Sarandë – tre qytete me karater të fortë turistik, me ofertë dhe kërkesë të lartë, me pasuri të njohura nga UNESCO, por me natyra të ndryshme turizmi. Veç ofruesve të shërbimeve dhe bashkive, kontaktuam edhe turistë për të kuptuar zgjedhjet dhe shqetësimet e tyre. Në çdo rast na konfirmohej nevoja për ofertë të organizuar, cilësore e gjithëvjetore. Shumë prej aktorëve nuk kishin njohuri për konceptin e DMO-ve, por procesi ynë krijoi një vetëdije të konsiderueshme për domosdoshmërinë e DMO-ve. Nuk mungoi as shprehja e vullnetit për t’u anëtarësuar në organizatat DMO. Mbështetja e fituar nga aktorët lokalë na dha një shtysë të jashtëzkonshme gjatë advokimit përmes takimeve e tryezave në Ministrinë e turizmit. Fakti që procesi ynë përkoi me zgjedhjet kombëtare, e shtoi sfidën e angazhimit tonë, por megjithatë ia dolëm që të lëmë në tryeza të larta politike një dokument me prozime konkrete e të bazuar mbi fakte, në lidhje me mënyrën e funksionimit të DMO-ve në Shqipëri. 

3. Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë procesit, dhe çfarë do kishit bërë ndryshe?

Sfidat ishin të shumta. Së pari, duhej të sillnim bashkë aktorët publikë lokalë dhe bizneset turistike. Këto palë kanë pritshmëri nga njëra-tjetra, por anashkalojnë faktin se vlera e destinacionit krijohet apo konsolidohet kur palët bashkëpunojne në mënyrë të sinqertë për një turizëm cilësor e gjithëvjetor. Sfida e dytë ishte përballja në terren me angazhime të mbivendosura donatorësh, dhe mungesë informacioni mbi proceset e të tjerëve. Mirëpo, përveç se prek efektivitetin e iniciativave, kjo mbivendosje zbeh dhe interesin e aktorëve për pjesëmarrje, sepse ul besueshmërinë. Sfida e tretë ishini zgjedhjet si një periudhë stanjacioni deri në ardhjen e stafit të ri në administratë, ndërkohë që koha ishte factor kyç për ne. Komunikimi me Ministrië e Turizmit nuk ka qenë i vështirë, por më pas, gjerat kanë lëvizur ngadalë. Nuk e di nëse do të kishim bërë dicka ndryshe, sepse pasiguritë dhe ndryshimet janë aq dinamike në realitetin shqiptar, sa përtej një planifikimi të mirë, duhet të jesh krijues në proces e sipër. Çështja është se vendimarrja mbetet në një dorë të vetme dhe nuk ka një orientim të qartë dhe afatgjatë institucional për hapat e zbatimit të synimeve të një strategjie. Kjo ul dhe mundësinë e aktorëve lokalë për të ndjekur proceset e për rrjedhojë transparencën.

4. Çfarë rruge ndoqët dhe a lindi nevoja përgjatë procesit t’i qaseni ndryshe?

Fillimisht na u duk se kishim premtuar shumë dhe se nuk do t’i arrinim dot objektivat tona. Të loboje te Ministri i Linjës dhe në Parlament (ku s’merr as pergjigje për emailet) në një vit zgjedhor i ulte shumë shancet tona për sukses. Po ashtu hasëm skepticizëm edhe mes donatorëve për iniciativën tonë. Një prej tyre kishte nisur një projekt mbi kornizën ligjore për DMO-të. Mirëpo, kuptuam se ky projekt kishte hapa të ngadaltë, dhe u përqendruam tek qasja jonë si shoqëri civile. Fillimisht mblodhëm evidenca dhe bëmë një studim të situatës lidhur me zbatimin e stratëgjisë së turizmit, përfshirë edhe modelet me të mira të huaja të DMO-ve si dhe iniciativat ekzistuese shqiptare. Takimet në terren ishin hap thelbësor në punën tonë, sepse ato sollën realitetin dhe nevojat lokale në propozimin që i nisëm Ministrisë për modelin e DMO-ve. Propozimi ynë fokusohet në formën dhe strukturën e DMO-ve në Shqipëri, dhe po ashtu përfshin rekomandime ligjore. Tërësia e takimeve u kurorëzua me një tryezë kombëtare, e para në lidhje me DMO-të dhe rekomandimin 5 të Strategjisë së Turizmit. 

5. Çfarë impakti prisni nga projekti juaj?

Ne presim të ketë ndryshime ligjore, që modeli i DMO-ve të zbatohet. Kjo duhet të ndodhë shpejt pasi Strategjia e turizmit e plotëson ciklin e saj në vitin 2023. Gjithsesi, është e rëndësishme që për një vit të tërë u fol intensivisht dhe për herë të parë për DMO-të në të gjithë Shqipërinë, duke krijuar presion nga poshtë. Kemi patur kërkesa në Vlorë, Lezhë e deri Kukës për t’i ndihmuar të krijojne DMO sepse aktorët lokalë e ndjejnë drejtpërdrejt nevojën. Kjo, falë edhe vizibilitetit në media dhe kanale sociale. Po ashtu mundësuam qartësi në rolin që kanë pasur deri tani donatorët në lidhje me DMO-të. Në këtë moment, puna e secilit eshtë transparente dhe donatorët ishin të pranishëm me projektet dhe idetë e tyre në tryezën kombëtare për DMO-të. Për më tepër kemi lënë një dokument të shkruar, me evidenca dhe të përputhur me realitetin dhe kornizën tonë ligjore. Kemi marrë premtim nga Ministrja e Turizmit që një seri takimesh të drejtuara nga ajo vetë në 12 qarqet e vendit do të adresojnë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve në menaxhimin lokal të destinacioneve, por dhe për të parë mundësitë brenda kornizave ligjore aktuale. E kemi dërguar kontributin tonë dhe në parlament, pavarësisht se nuk na u mundësua një seancë dëgjimore. Për ne mbetet një process i hapur, për të cilin do të vazhdojmë të advokojmë.

Nisma “Rritje ndërgjegjesimi dhe lobim tek politikbërësit për zhvillimin e modelit të DMO-ve në Shqipëri, në zbatim  të strategjisë 2019-2023 për Turizmin e Qëndrueshëm” u mbështet nga projekti “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri- ideAL” i zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Qendra e Politikave Evropiane (EPC, Belgjikë) me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.


Search
Article categories:
Sondazh

Sipas ligjit per mbrojtjen civile, bashkite kane nje rol shume te rendesishem ne menaxhimin e fatkeqesive dhe ne reduktimin e riskut te tyre.

A mendoni se bashkia juaj i menaxhon me efikasitet fatkeqësitë në territorin e saj?